bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
Albanian 2018
/
Lamentations 1
Lamentations 1
Albanian 2018
Jump to:
Chapter 1
Chapter 2
Chapter 3
Chapter 4
Chapter 5
Chapter 2 →
1
Ah, sa e vetmuar mbeti qyteza dikur shumë e populluar! Mbeti e ve madhështorja ndër kombe, princesha e krahinave u nënshtrua.
2
Bërtet e qan gjatë natës me lot për faqe, nuk gjendet asnjë ngushëllues ndër të gjithë dashnorët e saj. E tradhtuan të gjithë miqtë e iu bënë armiq.
3
U shpërngul Juda me pikëllim e skllavërim të rëndë. Zuri vend ndër kombe, por nuk gjen prehje. Të gjithë përndjekësit e kanë shkapërcyer nëpër ngushtica.
4
Duke vajtuar janë udhët e Sionit, se nuk ka kush vjen për festa. Të gjitha portat i janë rrënuar, priftërinjtë i rënkojnë, vashat janë në zi, se i ra fat i hidhur.
5
Hakërruesit e saj u bënë kryeprijës, armiqtë e saj janë të sigurt, se Zoti e pikëlloi prej shkeljeve të shumta, fëmijët iu bënë robër para armikut.
6
Vezullimi iku i tëri prej bijës së Sionit. Prijësit i janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë. Ikin pa fuqi prej përndjekësve.
7
Zë e kujton Jerusalemi, në ditët e pikëllimit e të përendjes, të gjitha begatitë e qëmoçme. Kur popullsia i ra në dorë armikut, pa i dalë zot askush, gërgasësit e panë e u zgërdhinë me shuarjen e tij.
8
Hidhur mëkatoi Jerusalemi, prandaj u bë ndyrësirë. E përçmojnë ata që e nderonin, se ia panë lakuriqësinë. Edhe ai vetë rënkon e spërdridhet.
9
Tërë papastërti e bëri tunikën pa u kujtuar për të ardhmen. U plandos me tmerr pa asnjë ngushëllim. «Shikoje, o Zot, pikëllimin tim, se armiku im u madhërua».
10
Ja, gërgasësi e ka shtrirë dorën mbi të gjitha begatitë e tij. Pa kombet tek hynin në shenjtërore, ata që pate urdhëruar të mos hynin në bashkësinë tënde.
11
Krejt popullsia e tij rënkon duke lypur bukë. Japin gjënë më të shtrenjtë për ushqim, që t'u kthehet fryma. Shiko, o Zot, e vërej sa jam poshtëruar.
12
Lojë qenka për të gjithë që kaloni udhës?! Vëreni e shikoni, nëse ka brengë si brenga ime, që më ra mua, që ma lëshoi Zoti, kur u ndez zemërimi i tij.
13
Ma lëshoi zjarrin prej së larti, e ngërtheu në eshtrat e mia. Më hodhi rrjetën këmbëve, më ktheu përmbys. Më bëri të shkretë, leckë të përmuajshmesh përngaherë.
14
Në zgjedhë m'u lidhën shkeljet, u thurën me dorën e tij. Më rëndojnë në qafë, më është mekur fuqia. Zoti më la në dorën e tyre e nuk mund t'u bëj ballë.
15
Sojin e trimave të mi e e përmbysi Zoti mes meje. Ai më caktoi një kohë për të m'i shtypur të rinjtë. Në tork e shtrydhi Zoti virgjëreshën, bijën e Judës.
16
Ajo është arsyeja pse qaj. Sytë më derdhin lot, se m'u largua ngushëlluesi, ai që ma përtërin shpirtin. Bijtë e mi u shkretuan, se armiku ngadhënjeu.
17
Shtrin duart Sioni, por nuk ka ngushëllues për të. Zoti dha urdhër për Jakobin të rrethohej me armiq. Jerusalemi u bë leckë të përmuajshmesh mes tyre.
18
Cenova fjalën e tij, prandaj i drejtë është Zoti. Dëgjomëni, o popuj të gjithë, shikojeni brengën time! Vashëzat e djelmoshat e mi shkuan në robëri.
19
Kërkova dashnorët e mi, por më mashtruan. Priftërinjtë e pleqtë e mi në qytet u vranë, tek lypnin të hanin për të përtërirë frymën.
20
Rënkimin tim shikoje, o Zot! M'u pështjelluan zorrët, më dridhet zemra në kraharor, se u tregova kryeneç. Përjashta është shpata shfarosëse, në shtëpi, si të ketë hyrë vdekja.
21
Shëmimin tim e dëgjojnë, por s'gjendet ngushëllues për mua. Tërë armiqtë e dëgjuan rënkimin tim, u gëzuan, se ti e ke shkaktuar. Sille ditën që pate shpallur e do të bëhen si unë.
22
Të dalë para teje tërë ligësia e tyre, vepro me ta siç veprove me mua, për shkak të tërë shkeljeve të mia, se të shumta janë rënkimet e mia e po më lëshon zemra.
Jump to:
Chapter 1
Chapter 2
Chapter 3
Chapter 4
Chapter 5
Chapter 2 →
All chapters:
1
2
3
4
5