bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
Albanian 2018
/
Hosea 2
Hosea 2
Albanian 2018
← Chapter 1
Jump to:
Chapter 1
Chapter 2
Chapter 3
Chapter 4
Chapter 5
Chapter 6
Chapter 7
Chapter 8
Chapter 9
Chapter 10
Chapter 11
Chapter 12
Chapter 13
Chapter 14
Chapter 3 →
1
«Por, numri i bijve të Izraelit do të bëhet si rëra e detit që nuk matet e as numërohet. Dhe në vendin ku u qe thënë: “Nuk jeni populli im!”, do t'u thuhet: “Bij të Perëndisë së gjallë!”.
2
Do të bashkohen bijtë e Judës me bijtë e Izraelit, një prijës të vetëm do të vënë në krye e do të blerojnë mbi dhe, se e madhërishme do të jetë dita e Izrelit.
3
Thuajuni vëllezërve: “Populli im!” e motrave: “E mëshiruara!”.
4
Paditeni nënën tuaj, paditeni se nuk është më gruaja ime e unë nuk jam më burri i saj. Të heqë prej fytyrës shenjat e lavires e tradhtinë prej gjinjve të saj,
5
përndryshe do ta zhvesh lakuriq, do ta nxjerr në pah si ditën kur lindi, do ta bëj si shkretëtirën, porsi tokën e thatë, do ta bëj të vdesë nga etja!
6
Për bijtë e saj s'do të kem mëshirë, se pjellë laviresh janë.
7
Nëna e tyre u kurvërua, e pacipë është ajo që i ngjizi, se tha: “Do të shkoj pas dashnorëve të mi që më japin bukë e ujë, lesh e li, vaj e pije”.
8
Ndaj, ja, shtegun do t'ia zë me ferra, një ledh do t'i ngre përreth, që udhën të mos e gjejë.
9
Do të rendë pas dashnorëve, por nuk do t'i kapë dot. Do t'i kërkojë, por nuk do t'i gjejë e pastaj do të thotë: “Po kthehem te burri im i parë, se më e lumtur isha me të”.
10
Ajo nuk e di se isha unë, ai që i dha drithë, musht e vaj. Unë ia shumova argjendin e arin, me të cilët bënë Baalë.
11
Ndaj, do ta marr mbrapsht drithin tim në kohën e të korrave, edhe verën time në stinën e saj. Do t'ia rrëmbej leshin e linë time, me të cilën mbulon lakuriqësinë e vet.
12
Ja, tani do t'ia zbuloj paturpësinë para syve të dashnorëve të saj. Askush s'do ta shpëtojë dot prej dorës sime!
13
Do t'u jap fund tërë ngazëllimeve që ka: festës, të shtunës, hënës së re e çdo të kremteje që mban.
14
Do t'ia shkatërroj hardhinë e fikun, për të cilat thoshte: “Kjo është paga ime që dashnorët më dhanë”. Shkurre ato do t'i bëj, egërsirat do t'i gllabërojnë.
15
Do ta ndëshkoj për ditët kushtuar Baalëve, gjatë të cilave u digjte temjan, zbukurohej me unaza e stoli, ndiqte pas dashnorët e saj e mua më harronte, kumton Zoti.
16
Por, ja, unë do ta ngashënjej, do ta çoj në shkretëtirë e do t'i flas ëmbël.
17
Prej andej vreshtat do t'ia jap e luginën e Akorit si portë shprese. Prej andej ajo do të më përgjigjet si në ditët e rinisë, si në ditët kur doli prej tokës së Egjiptit.
18
Atë ditë, kumton Zoti, do të më thuash: “Burri im!” dhe jo më: “Baali im!”.
19
Do t'i fshij emrat e Baalëve prej buzëve të tua, emrat e tyre nuk do t'i kujtosh më.
20
Atë ditë për ta do të lidh një besëlidhje me kafshët e fushës, me fluturakët e qiellit e me zvarranikët e dheut. Harkun, shpatën e luftën do ta zhbij nga toka, që të qetë të banojnë.
21
Do të të bëj gruan time përherë, do të të marr për grua me drejtësi e të drejtë, me mirësi e dhembshuri.
22
Do të të marr për grua me besnikëri e Zotin do ta njohësh.
23
Atë ditë do të përgjigjem, kumton Zoti. Do t'i përgjigjem qiellit, e qielli tokës,
24
toka drithit, mushtit e vajit, e ata do t'i përgjigjen Izrelit.
25
Do ta mbjell për vete në tokë. Do të kem mëshirë për Loruhamën, do t'i them Loamit: “Je populli im” e ai do të thotë: “Perëndia im!”».
← Chapter 1
Jump to:
Chapter 1
Chapter 2
Chapter 3
Chapter 4
Chapter 5
Chapter 6
Chapter 7
Chapter 8
Chapter 9
Chapter 10
Chapter 11
Chapter 12
Chapter 13
Chapter 14
Chapter 3 →
All chapters:
1
2
3
4
5
6
7
8
9
10
11
12
13
14